Tuesday, November 6, 2007

Shkozet, industria e helmit


Shkruan : Kristi Pinderi

Dhjetëra familje të varfëra të Shkozetit jetojnë prej vitesh në oborrin e një fonderie që dyshohet se lëshon në ajër tymra kancerozë dhe vdekjeprurës për shëndetin. Raste dështimesh brenda fare pak viteve, lindje me deformime të frikshme gjenetike, infeksione të theksuara të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, alergji kronike në të gjithë trupin… Janë të gjitha, probleme me të cilat po ndeshen më të varfërit e Shkozetit. Shumë prej të cilëve jetojnë fill pas murit rrethues të fonderisë që shkrin nën emertimin "Techno Services" sasi të mëdha objektesh prej alumini, por edhe bakër e cdo lloj metali tjetër. Ajo është e pozicionuar m'u në mes të Shkozetit, në një zonë të banuar qysh para viteve '90-të. Burime të ndryshme, jozyrtare, pohuan për MAPO-n se në këtë fabrikë shkrihen edhe bateri makinash për t'u nxjerrë elementin plumb, ndërkohë që përmes oxhaqeve fare të ulta e me grykë të hapur të kësaj fonderie, lëshohet në ajër cdo kimikat tjetër që përbën këto bateri. Kimikate këto që intoksikojnë këdo që i ka rënë për hise të jetojë atje, mes mjerimit, indiferencës dhe injorimit absolut. Në lagjen 14 në Shkozet të Durrësit, disa familje tejet të varfra po jetojnë këtë histori të dhimbshme, ndoshta ndër më të dhimbshmet e tranzicionit kaotik shqiptar. Jetojnë mes disa rrugicave të pashtruara, pas murit rrethues të fonderisë së izoluar gati hermetikisht nga cdo sy i huaj, në këtë lagje të harruar të Durrësit, e konsideruar para viteve '90-të si zemra e industrisë së qytetit portual më të madh të vendit.

Shkozet, drekë…
Në familjen e Apollon Zekajas, jetojnë 15 frymë. I zoti i shtëpisë, i cili punon si hamall në fabrikën ngjitur, merr leje dhe vjen shpejt në shtëpi, sapo merr vesh që ndodhemi atje. Mbesa e tij më e re, ka lindur dy javë më parë në maternitetin e Durrësit, një foshnjë pa hundë, pa buzë dhe me deformime të tjera tejet serioze të organeve vitale. "Eshtë fëmija i tretë i vajzës sonë", thotë ai. I pari u lind i vdekur, ndërsa i dyti jetoi fare pak muaj dhe ndërroi jetë si pasojë e infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes. Nëna e tyre, Silvana Zekaja, e cila ndodhet ende e shtruar në maternitet është vetëm 20 vjec… Fëmija i saj dy javësh, po lufton me vdekjen, ndërkohë që prindërit e tij të cilët mezi e mbyllin muajin dhe mezi paguajnë 10 mijë lek për qëranë e shtëpisë, duket se janë dorëzuar e nuk kanë më asnjë shpresë së më i riu i familjes Zekaja, do të rrojë…
E frikshme duket edhe historia e një tjetër nëne të re, Bukurie Skuraj, e cila u detyrua t'i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale për të nxjerrë nga trupi I vet foshnjën ende të palindur, disa javë pasi fetusi kishte pushuar së zhvilluari në mitër.
Dëshmitë e tjera vazhdojnë me të njëjtin intensitet shqetësues: Rajmonda Zekaja, banuese në të njëjtin bllok shtëpish, pranë fonderisë tregon se fëmija I saj 3 vjecar vuan nga astma dhe se doktoresha Liri Dibra, i ka thënë shkurt: "të shpresojmë se me kalimin e viteve fëmija do të mbijetojë"…

Muratorja nga Shkodra, azmatike në Shkozet
Ka portretin e një njeriu tejet të vuajtur në jetë, por edhe tejet të fortë! Quhet Pashka Cukani, 63 vjecarja nga Shkodra e cila u martua në Shkozet ku edhe u sëmur nga astma pak vite më parë, në shtëpinë e e pozicionuar fare pak metra larg fonderisë që shkrinte në kohën e diktaturës alumin, ndërsa tani cdo lloj metali tjetër, përfshirë edhe bateritë e makinave. Ka punuar për disa dekada si muratore e kategorisë së 6-të ndërkohë që tani, në pension, ankohet se nuk mund ta durojë dot ajrin e ngarkuar cdo ditë. "Nëse mund të na ndihmoni do t'ua dimë për nder gjithë jetën, ndonëse e vetmja gjë që mund t'ju japim si shkëmbim është një falenderim nga zemra", thotë pensionistja e mbuluar nga rrudhat e cila, së bashku me bashkëshortin e vet është e detyruar të jetojë në vetmi ditët e vështira nën ajrin e padurueshëm që lëshon fonderia në murin përkarshi oborrit të saj.

Fonderia hermetike
Në dyert e fonderisë në fjalë duket se vigjilojnë disa roje. Një derë hermetike të pengon të shikosh në brendësi të saj, ndërkohë që është e pamundur të flasësh me persona të brendshëm që mund të të thonë dicka. Katër vjet më parë, fonderia në fjalë ka qenë pronë e përbashkët e një shqiptari dhe e një subjekti me qendër në Itali. Kjo fonderi ka ekzistuar qysh para viteve '90-të, kohë kur shkrinte vetëm objekte prej alumini. Burime nga Durrësi pohuan për revistën MAPO se personi që përfaqësonte atëherë subjektin shqiptar është një eksponent i njohur i Partise Demokratike në Durrës, ndërkohë që opozita aktuale ka akuzuar se ky person mund të jetë z. Avni Hoxha, ish kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit. Gjatë qeverisjes socialiste fonderia ka qenë e detyruar disa herë që të ndërpriste aktivitetin e saj për shkak të ndotjes mjedisore, derisa, si kusht për rifillimin e këtij aktiviteti u përcaktua shkrirja vetëm e objekteve prej alumini. Por banorët përreth fonderisë, disa prej të cilëve edhe punonjës të saj, pohojnë se atje shkrihen edhe objekte prej bakri dhe prej cdo lloj metali tjetër, ndërkohë që burime te tjera konfirmuan se atje shkrihen edhe bateri makinash.

Shpërthimi
Në verën e vitit 2006, ndodhi një shpërthim i fortë në furrat e saj, aq sa banorët, të terrorizuar dolën menjëherë jashtë shtëpive dhe ngurruan të futen sërish brenda. Tre punëtorë u plagosën rëndë, ndonëse nuk pati asnjë denoncim për këtë fakt.
Banorët përreth fonderisë reaguan pak kohë më parë përmes një peticioni drejtuar institucioneve më të rëndësishme të vendit për të kthyer sytë edhe drejt tyre… Kaq mjaftoi që Zyra e Avokatit të Popullit të niste një hetim "ex ufficio", pa patur nevojën e një denoncimi konkret. Burime pranë kësaj zyre, konfirmuan për MAPO-n se ka shumë aspekte të dyshimta në këtë cështje. Ata iu referuan legjislacionit të bollshëm shqiptar por edhe neneve të Konventës së Arhusit që Shqipëria e ka nënshkruar tashmë, teksa këmbëngulën që cdo hetim rreth kësaj cështje duhet të fokusohet sidomos në Ligjin Nr.8934 dt.05.09.2003 "Për Mbrojtjen e Mjedisit" dhe Ligjin Nr.8990 dt.23.01.2003 "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis", ligje këto që përcaktojnë qartë kornizën mjedisore të cdo subjekti privat. Në rastin tonë, fonderia nën emrin e kompanisë "Techno Service", kryen një aktivitet që jo vetëm nuk e mbron mjedisin, por shkakton lehtësisht, sipas dëshmive të shumta të dhjetëra familjeve të zonës, dëme të mëdha në mjedis dhe në shëndetin e banorëve. Por kjo histori duket se do të vazhdojë, derisa dikush t'i thotë stop një abuzimi të tillë çnjerëzor…

Kristi Pinderi