
Anti-autoritarizmi
Nga Ervin Qafmolla
Sëmundje keqe autoritarizmi. Të paktën kështu thonë analistët. Nganjëherë, kështu mendoj edhe unë. Populli beson të njëjtën gjë. Por, në thelb kemi të bëjmë me një diskutim disi abstrakt. Çfarë dreqin është autoritarizmi? Fjalori nuk është se të ndihmon shumë. Në përgjithësi kupton se bëhet fjalë për imponim të pushtetit duke shpërfillur parimet demokratike përmes të cilave funksionon shoqëria njerëzore. A është autoritarizmi një prirje demoniake? Është pa dyshim i rrezikshëm, por asgjë më tepër. Fobia nga autoritarizmi është e tepërt dhe e pakuptimtë, pasi vetë kjo fjalë e ngatërruar në shqiptim dhe që për më tepër, nuk është as shqip, nuk nënkupton tjetër veç mundësisë së një dore njerëzish të përzgjedhur nga fati, rrethanat, apo aftësitë, për të ushtruar idetë dhe egot e tyre, në shpërfillje të dëshirave dhe vullnetit komunitar. Por, kjo është diçka që shumëkush e bën, ditën me diell, apo më shpesh, në fshehtësi. Histori shumë e ngatërruar kjo e autoritarizmit. Është çështje autoriteti në fund të fundit. Mund ta mallkosh sa të duash një njeri autoritar, por për sa kohë një autoritet tjetër, më i fortë, individual apo komunitar qoftë, nuk mundet ta rrëzojë, është thjesht çështje e më të dobëtit që ankohet. Unë i urrej njerëzit që ankohen, por që nuk gjejnë kurajë të veprojnë. Jam shumë dakord që Berisha është autoritar, por për sa kohë askush ngrihet ta sfidojë pushtetin dhe egon e tij anti-demokratike, qurravitjet nëpër media, nuk janë tjetër përpos një akt i turpshëm. Një spektakël që më bën të skuqem për faktin e thjeshtë që jam dëshmitar i poshtërimit të radhës së dinjitetit njerëzor. Askush nuk ngrihet të protestojë, të vërsulet në rrugë krejt i vetëm dhe, nëse vërtet nuk ka asnjë forcë tjetër veç zërit të tij, të ulërasë më gjëmimin e njëmijë netëve së bashku, me fishkëllimën e njëmijë trenave që përshkojnë tunelet e heshtjes, të gërthasë me vetë forcën e apokalipsit. Veç atëherë do tronditej ngrehina e pushteteteve okulte. Veç një turmë e egërsuar, autoritare do të rrëzonte, apo së paku, do të bllokonte një autoritar të rrezikshëm që vështron nga lart piramidës së hierarkisë të sahanlëpirësve që dita-ditës ia erektojnë egon fallusike. Autoritarizmi është një cilësi tërësisht njerëzore, siç është dëshira për pushtet. Pushtet mbi sendet, botën dhe vetë jetën. Ka të bëjë me kontrollin e fatit tënd dhe ndryshimin e fatit të të tjerëve. Mund të mos na pëlqejë, por kështu është. Por, autoritarizmi duhet kontrolluar. Autoriteti sfidohet me autoritet, siç ndonjëherë plumbi nxirret me pumb! Pacifizmi angullitës, qaraman, qurravitës; protestat mjerane nën zë nëpër kafene ku analistët e analeve të thashethemit shtijnë fall për të ardhmen e universit, nuk janë tjetër përpos mexhlise frikacakësh trutharë e hallate-tredhur. Kotësi gazetash që nëpër katunde i përdorin si letër higjenike. Në atë çast të epërm të shfryrjes së zorrëve në gropën septike, analisti bëhet më në fund i dobishëm me emrin dhe tekstin e tij, kur antiautoritarizmi vërtet ndihmon në përmirësimin e higjenës rurale. Katundari më pas del nga baraka dhe fillon të mallëkojë se nuk ka drita, se vota e tij nuk vlen për gjë se Kryeministri veç premton, por nuk jep asnjë kacidhe më shumë. Ndoshta, një ditë, pasi të jetë fshirë mirë e mirë me lajthitjet e radhës në gazetën e radhës, ai do të inatoset vërtet dhe do të dalë me ndonjë gur sokaku ngrënë-kohe në dorë, përballë vetratave të ndonjë institucioni. Atë ditë të gjithë do jemi ca më të gëzuar, atë ditë do të kemi më pak autoritet që na shtyp. Atë ditë duhet të jemi edhe ne me të, nëse kemi aq guxim, nëse emrat tanë vlejnë më shumë se një copë letër higjenike e improvizuar. Ndoshta, atë ditë mund të fillojmë vërtet të kuptojmë se çdo të thotë “anti-autoritarizëm”.
***************************************
Anti-autoritarizmi ndryshe!
Nga Kristi Pinderi
Shqiptarët nuk e njohën tani autoritarizmin e z. Sali Berisha. Ata e kanë provuar këtë autoritarizëm më shumë se 10 vjet më parë. Por asnjëherë, askush, nuk u ngrit në ato vite të para të Berishës për ta kundërshtuar. Nëse ne mendojmë se do të kemi më pak autoritet që na shtyp vetëm nëse një katundar, siç shkruan E. Qafmolla në rubrikën e tij “Token”, del përpara vetratave të ndonjë institucioni me ndonjë gur sokaku ngrënë-kohe dhe pas tij edhe ndonjë tjetër, atëherë pisk e paskemi punën. Sepse kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë! Edhe nëse ndodh, ai katundar i shkretë apo ata pak të shkretë pas tij, me siguri do të futen brenda në birucë e ndoshta nuk do të dalin prej andej derisa t’u jenë thinjur të gjitha flokët në kokë. Nëse do të zgjedhin që të luftojnë njërën, mes autoritarizmit dhe varfërisë, qytetarët, besoj se do t’i kanalizojnë fuqitë e tyre për të luftuar varfërinë dhe për të siguruar mbijetesën e familjes, e në anën tjetër do ta harrojnë autoritarizmin. Qytetarët marrin doza agresiviteti dhe inati të tillë të brendshëm që nuk ka gardh policie që ti mbajë dhe sistem autokrat që t’i frenojë, vetëm atëherë kur u bllokohen të gjitha rrugëdaljet. Kur Berisha ishte president, qytetarët e duruan autoritarizmin fillestar të tij, ama nuk e toleruan as edhe një ditë më shumë në Presidencë atë njeri, vetëm në momentin kur humbën krejt kursimet e tyre, shtëpi e katandi, e kur, kuptohet humbën bashkë me kursimet edhe çdo rrugëdalje tjetër për të përballuar jetën. Atë jetë nuk e duruan më. Inati i Qafmollës, është megjithatë mëse i justifikuar. Sepse nëse pjesa më e madhe e popullsisë interesohet për të luftuar varfërinë, një pjesë tjetër, më e vogël e popullsisë ajo intelektuale ku bën pjesë dhe vetë Qafmolla, interesohet për demokracinë ndaj edhe irritohet sapo shikon shenjat e para flagrante të mosrespektimit të dinjitetit njerëzor e të rregullave të lojës brenda demokracisë. Domosdo lufta kundër autoritarizmit do të duhet të jetë një luftë që ka përballë autoritarët e nga ana tjetër intelektualët, e pas tyre ndoshta dhe “katundaret”. A mundet që intelektualët të gjejnë mënyra më agresive por prapë demokratike që ta luftojnë autoritazimin? Kjo vlen të diskutohet e të zbulohet. Rruga tjetër nëse kjo e para nuk funksionon, ngelet të jetë edukimi i të gjithëve me demokracinë. Dhe kjo kërkon kohë dhe përkushtim. Shqiptarët nuk mendoj se janë mësuar me mashtrimet e politikanëve, siç thuhet sot shpesh. Une mendoj se askush nuk mund të mësohet me një mashtrim, çfarëdo qoftë ky mashtrim. Ajo me të cilën shqiptarët nuk janë mësuar ende, është demokracia e vërtetë të cilën akoma nuk e kanë shijuar. Nuk kanë mësuar ende se kanë pushtet të përmirësojnë jetën e tyre. Por edhe kjo kërkon kohën e saj. Ashtu siç kërkon angazhimin maksimal të intelektualëve përballë autoritarëve, e siç kërkon mbi të gjitha angazhimin e shoqërisë civile si MJAFT!, për t’u kujdesur që rregullat e lojës të respektohen. Pas këtyre do të vijnë edhe qytetarët e thjeshtë me gurë sokaku në duar, e jo vetëm “katundarët”.
No comments:
Post a Comment